11 August 2008

Përmbushe shërbesën e drejtuesit!

Në Letrën e dytë që Pali ia drejton Timoteut (e cila është përcaktuar edhe si “testamenti shpirtëror” i Palit), ai i jep porositë e fundit dishepullit dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë në veprën e ungjillizimit dhe themelimit të kishave.
Ndër të tjera, Pali i jep disa porosi që kanë të bëjnë me shërbesën e Timoteut dhe që synojnë “përmbushjen e shërbesës” (4:1-5). Të njëjtën thirrje Pali ia drejton edhe Arkipit te Kol. 4:17, megjithëse në këtë rast thirrja është më e fortë dhe më e drejtpërdrejtë: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin, që ta plotësosh/ përmbushësh”. Në rastin e Arkipit, për ne nuk është e mundur të dimë se cfarë kishte parasysh specifikisht Pali, por shtjellimi që bën në letrën drejtuar Timoteut na ndihmon për të kuptuar domethënien e thirrjes së tij.
Si do ta përmbushë Timoteu shërbesën e tij? Në c’ka konsiston shërbesa e Timoteut? Të dyja pyetjet janë të pandara nga njëra-tjetra, sepse duke e këshilluar Timoteun se cfarë duhet të bëjë, Pali synon ta këshillojë sesi ta përmbushë shërbesën e tij.
Shërbesa e Tiomoteut ka të bëjë specifikisht me predikimin në kishë (megjithëse edhe një punë personale nuk është për t’u përjashtuar). Kjo shihet nga paralajmërimi i vgj. 3-4 ku flitet për “doktrinë” dhe “mësues”.
Subjekt i predikimit të tij duhet të jetë “fjala”. Termi logos i përdorur këtu më nyje shquese (ho logos) është një shkurtim nga Pali për “fjalën e Perëndisë” të zbuluar në Shkrimin e shenjtë (3:16-17), por edhe mesazhi i krishterë në përgjithësi (krs. 1 Thes. 1:6; 2 Tim. 2:9). Kjo thirrje vendos mbi drejtuesin detyrën e vazhdueshme për të njohur sa më thellë Shkrimin dhe për ta interpretuar atë sa më saktësisht. Është e papranueshme për rolin e tij që drejtuesi i kishës të mjaftohet më një njohje jo të thellë të Shkrimit e të doktrinës së krishterë. E po ashtu është e papranueshme të mjaftohet me predikime “të lehta” të përgatitura pa mund, pa u angazhuar asnjëherë në një mësim sistematik të cështjeve kardinale të krishtërimit. Kjo thirrje dhe përgjegjësi bëhet edhe më urgjente nën dritën e vgj. 3-4.
Predikimi nuk duhet të jetë i kushtëzuar nga parapëlqimet e dëgjuesve. Këtu, shprehja “këmbëngul në kohë të përshtatshme e të papërshtatshme” (fjalë për fjalë “ngul këmbë në kohë të mirë e në kohë të papërshtatshme”) i referohet gjendjes së dëgjuesve e jo Timoteut, sic mund të shihet nga përdorimi edhe te v. 3 i termit “kohë” (Shih I. Howard Marshall, A Critical and Exegetical Commentary on the Pastoral Epistles, fq. 800; George W. Knight, The Pastoral Epistles, The New International Greek Testament Commentary, fq. 453). Ka gjëra apo subjekte të cilat disa besimtarë nuk preferojnë t’i dëgjojnë. Drejtuesi që mbi vlerësimin e dëgjuesve vendos vlerësimin e Zotërisë së tij, nuk do të bëjë kompromis duke shmangur probleme apo tema që dëgjuesit nuk janë të gatshëm t’i pranojnë. Shembuj të tillë ka mjaft sot te telepredikuesit.
Përmes 3 foljeve të tjera në urdhërore, Pali i kërkon Timoteut që të angazhohet në “bindje, qortim dhe këshillim”. Puna e drejtuesit nuk merr fund me shpalljen e fjalës; bindja për mëkat apo gabim, qortimi për të dhe këshillimi për rrugën e drejtë duhet ta ndjekin atë, sipas rastit. Kjo është, në fund të fundit, në përputhje me vetë funksionin e Shkrimit që Pali ka shprehur pak më sipër te 3:16.
Përcaktimi se si duhen bërë këto 3 veprime është shumë i rëndësishëm. Ato duhen bërë “me çdo durim dhe doktrinë”. “Me çdo durim” tregon qëndrimin që duhet të mbajë Timoteu. Drejtuesi duhet të bindet në mendjen e vet se dëgjuesit nuk do të jenë gjithmonë të gatshëm t’i vënë në jetë fjalët e tij. Kjo s’duhet ta shkurajojë aq sa ai të mpaket në autoritetin e vet (krs. Titi 2:15); as ta bëjë atë të padurueshëm me të tjerët dhe autoritarist. “Me [çdo] doktrinë” tregon përmbajtjen 3 veprimeve. Kjo do të thotë se drejtuesi duhet të jetë një njohës i gjithë doktrinës së krishterë biblike, kjo është ajo që e bën një drejtues të aftë për shërbesën e tij (krs. Titi 1:9). Nëse ai nuk është i formuar teologjikisht, ai do të jetë i prirur të jetë promovues i ideve të tij apo i të tjerëve (sigurisht gjithmonë të veshura me një vel njohurie biblike) e jo i doktrinës së shëndoshë biblike të transmetuar historikisht.
Arsyeja pse Timoteu duhet t’i kushtohet udhëzimeve të v. 2 është perspektiva në të ardhmen që njerëzit do të kërkojnë të dëgjojnë predikime sipas parapëlqimeve të veta (vgj. 3-4). Thelbi i arsyetimit të Palit këtu është që drejtuesi duhet të angazhohet në mësimin e vazhdueshëm të komunitetit, jo vetëm duke parë problemet e momentit, por edhe perspektivën e ardhshme të komunitetit, që shtrihet jo vetëm te brezi aktual i besimtarëve, por edhe te brezi (apo brezat) që do vijnë. Problemi i drejtuesve, në jo pak raste, është se predikimi dhe mësimdhënia nuk synojnë të ardhmen e kishës, por vetëm të tashmen. Por Pali nuk thotë se duhet pritur koha kur pjestarët e kishës (në tekstin gr. nuk gjendet termi për “njerëzit”, sic e jep LIM. Nga konteksti është e qartë se flitet për pjesëtarët e kishës e jo për njerëzit në përgjithësi) të jenë të pakënaqur me mësimin e shëndoshë, por që tani duhen formuar për kohët e vështira që mund të vijnë në të ardhmen e afërt apo të largët.
Motivi për angazhimin e palodhur të Timoteut në shërbesën e drejtuesit, me të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që mbart, jepet nga Pali në v. 1. Krishti, si gjykatës i të gjithë njerëzve, do të gjykojë edhe shërbesën e drejtuesit të kishës, nëse është bërë sic duhet (dmth në përputhje me udhëzimet e v. 2). Prej këtij motivi merr kuptim thirrja e Palit në v. 5 që, si drejtues, Timoteu duhet të jetë “esëll në cdo gjë” (jo naiv e sylesh përballë ideve e mësimeve që synojnë të promovohen në kishë si të krishtera apo sjelljeve që nuk pasqyrojnë besimin e krishterë), “të durojë vuajtjet” që sjell një shërbesë e tillë (jo për t’u tërhequr përballë tyre apo për t’i shmangur), “të bëjë punën e ungjilltarit”, dhe (në thelb) “ta përmbushë plotësisht shërbesën”. Sic shprehet George Knight “urdhërimi i katërt… funksionon si një thirrje përmbledhëse që përfshin urdhërimet pararendëse dhe cdo aspekt tjetër të shërbesës së Timoteut” (vep. cit., fq. 457).
Një thirrje për të përmbushur shërbesën presupozon mundësinë që një drejtues kishe të mos e përmbushë shërbesën që ia ka besuar Zoti. Sigurisht, arsyet për mospërmbushjen e shërbesës mund të jenë të shumta; mund të jetë paaftësia për një shërbesë të tillë, neglizhenca e detyrave dhe përgjegjësive që ajo mbart, vetëkënaqësia aq sa të mos kërkosh të bësh më shumë e më mirë. Megjithatë, cdo drejtues duhet të jetë plotësisht i bindur në mendjen e vet se Zoti do t’i kërkojë llogari për mënyrën se si e ka kryer detyrën që i është caktuar.

No comments: