08 September 2008

Si duhet përkthyer në shqip termi monogenês në referim të Krishtit?

Termi gr. monogenês fjalëpërfjalë do të thotë “i vetëmlindur”. Kështu e gjejmë të përkthyer në shqip te LIM, ABS dhe së fundi, edhe te ShBNSh në të 5 rastet në të cilat e përdor Gjoni në referim të Jezusit (1:14, 18; 3:16, 18; 1 Gjon. 4:9). Në botën anglishtfolëse ky përkthim ka hyrë përmes versionit King Xhejms dhe ka zënë aq shumë rrënjë në traditën e krishterë saqë edhe NASB (ndër përkthimet e vlerësuara në anglisht) e mban këtë përkthim. Përmes KJV ky përkthim ka hyrë edhe në përkthimet në shqip, si gjoja përkthimi më i saktë, edhe pse në shqip (dhe jo vetëm në shqip) termi “i vetëmlindur” nuk mund të japë tjetër ide përvecse që Jezusi nuk ka qenë i përjetshëm, por ka lindur apo rrjedhur nga Perëndia në një farë mënyre. Për këtë arsye, këto tekste bëhen shkak keqkuptimi kur përdoren në bashkëbisedim me myslimanët, dhe ndoshta edhe për këtë arsye, ndër të tjera, nevojitet ky reflektim.
Sigurisht, në teologjinë e krishterë (dhe në teologjinë e Gjonit) ideja që shpreh termi nuk ka të bëjë fare me mundësinë që Jezusi të jetë lindur në ndonjë moment të shkuar të përjetësisë, por me faktin që Jezusi, në raport me Atin, ishte/është “i vetmi” ose “një i vetëm” Bir i Tij. Por, në vetvete, mbiemri “i vetëm-lindur” nuk lë shteg për interpretime të tilla në shqip. Shqipja, në fakt, nuk e përdor mbiemrin “i vetëmlindur” për të treguar një fëmijë të vetëm të një familjeje, sepse vetëkuptohet nga mbiemri “i vetëm”. Mjafton të shohim 3 rastet në të cilat e përdor termin monogenês Luka (Luka 7:12; 8:42; 9:38) për t’u bindur sa absurd do të ishte në këto raste përkthimi “i/e vetëmlindur”.
Nga ana tjetër, termi gr. monogenês përcakton dicka apo dikë si “i vetmi i llojit të vet”, “unik”, “i patjetërsueshëm”, “i vecantë” (shih Bauer-Danker-Arndt-Gingrich (BDAG), A Greek-English Lexicon of the New Testament and other Early Christian Literature, Third Edition, [The University of Chicago Press, 2000], zëri monogenês, 2). Në këtë kuptim e gjejmë të përdorur te Septuagjinta (LXX) te Ps. 22:20 në referim të jetës së psalmistit: “Cliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme (ten monogene mou) nga këmba e qenit”. Në kuptimin “unik”, “i vecantë” apo “i vetëm” përdoret termi monogenês te Heb. 11:17 në referim të Isakut. Isaku nuk ishte fëmija i vetëm i Abrahamit, sepse nga Agari i lindi Ismaeli, por në raport me premtimin që i ishte bërë Abrahamit se do të lindte fëmijën e premtimit nga Sara, Isaku ishte biri “i vetëm” apo “unik” i Abrahamit. Prandaj, në këtë rast, përkthimi “i vetëmlindur” është i pakuptimtë (megjithatë ABS e përkthen cuditërisht kështu, duke ndryshuar përkthimin e mëpërparshëm të LIM).
Për Gjonin, i cili është i vetmi që e përdor termin monogenês në referim të Jezusit, është e qartë se kuptimi është që Krishti, në raport me Atin si Bir i Tij, është “i vetmi i llojit të vet”, “unik”, “i patjetërsueshëm”, “i vecantë” (shih edhe Thayer, Greek-English Lexicon of the NT, zëri monogenês; Louw & Nida, Greek-English Lexicon of the New Testament Based on Semantic Domains, botimi i dytë [New York: UBS, 1996] 58.52).
Bazuar në këtë vëzhgim, sugjeroj se përkthimi më i saktë dhe më i qartë në shqip do të ishte “i vetëm” (shih edhe në anglisht NRSV, NIV e së fundi NET shkëlqyeshëm në anglishten e sotme). Në këtë mënyrë shmanget cdo keqkuptim i justifikueshëm në shqip dhe shprehet më saktë kuptimi me të cilin e përdor Gjoni në shkrimet e tij. Nuk ka arsye që në përkthimin shqip të imponohet një përkthim që ka zënë vend në një gjuhë tjetër thjesht e vetëm nga tradita.