24 March 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës?

Rabbi Jezus
Në fund të postimit paraardhës kemi vënë në dukje se Jezusi “ishte Mësuesi (në kuptimin absolut) që, gjatë shërbesës së vet, përgatiti udhëheqës të cilët, pas largimit të tij, do të ishin të aftë të bënin dishepuj dhe t’u mësonin të gjitha gjërat që kishin marrë prej tij”. Këtu më duket e rëndësishme që të ndalemi më specifikisht për të parë këtë aspekt të shërbesës së Jezusit: mësimin dhe formimin e apostujve. Megjithëse ka shumë libra që trajtojnë shërbesën e Jezusit si Mesia i Izraelit, si Shpëtimtari i botës, apo si Profet (pa përmendur rolin e tij të tanishëm si Ndërmjetës, Kryeprift, Mbret etj.), për rolin dhe shërbesën e tij si Rabbi, për aq sa jam në dijeni, ose nuk ka literaturë që ta trajtojë specifikisht, ose ajo trajtohet kalimthi (me tëpër në Fjalorë biblik). Për vlerësimin e cështjes që po shqyrtojmë, mendoj se ky është një aspekt i rëndësishëm i shërbesë së tij (në fund të fundit, tek Ungjijtë ky është titulli me të cilin i drejtohen Jezusit më shumë se me cdo titull tjetër).
Përpara se të ndalemi specifikisht në shërbesën e Jezusit si Rabbi, është e domosdoshme të dijmë dicka në lidhje me kuptimin e termit dhe përdorimin e tij në Palestinën e kohës së Jezusit. Termi rabbi është transliterim i termit hebraik i cili përbëhet nga rab “i madh” dhe prapashtesa përemrore –i “i im”. Kështu, termi rabbi fj. për fj. do të thotë “i madhi im”, dhe përdorej si titull respekti për persona në autoritet, në kuptimet “imzot”, “mjeshtri im”. Në këtë rast, rabbi i korrespondon termit shqip “zotëri” (krs. Mat. 8:25 [kyrie = zotëri] me Mar. 4:38 [didaskale = mësues] dhe Luka 8:24 [epistata = mjeshtër]). Por, specifikisht rabbi ishte mënyra me të cilën nxënësi/dishepulli (talmid) i drejtohej mësuesit të tij (shih M. R. Wilson, “Rabbi”, The International Standard Bible Encyclopedia, botimi i rishikuar [Wm. B. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, MI, 1988, 2002], vëll. 4, fq. 30; Eduard Lohse, The Theological Dictionary of the New Testament, vëll 6, fq. 961-962; H. L. Ellison, “Rabbi”, New International Dictionary of the New Testament Theology, vëll 3, fq. 115-116). Në këtë rast, rabbi ka në shqip kuptimin “mjeshtër” ose “mësues”. Në këtë kuptim përdoret kryesisht termi tek Ungjijtë, sic demonstrohet nga përkthimi që jep Gjoni 1:38, por dhe nga përdorimi në vende të ndryshme i termave gr. didaskale “mësues” dhe epistata “mjeshtër”, në vend të termit heb. rabbi (vecanërisht Luka, i cili nuk e përdor asnjëherë termin rabbi, meqenëse i drejtohet një auditori grekfolës). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për formën aramaike rabboni (gr. rhabbounei), të përdorur 2 herë në DhR (Mar. 10:51; Gjoni 20:16).
Në periudhën e DhR, termi akoma nuk përbënte një term teknik të përdorur specifikisht për persona të autorizuar në cështje fetare, si në përdorimin e sotëm që “rabin” tregon një person të autorizuar për të mësuar dhe interpretuar Shkrimet dhe Traditën në sinagogë. Në Palestinën e shek. I, cdo person që ishte njohës i Shkrimeve dhe Traditës, dhe që ushtronte aktivitetin e mësimdhënies (vecanërisht nga radhët e skribëve dhe farisenjve) e kishte nxënës/dishepuj që e ndiqnin, mund të quhej Rabbi, qoftë nga njerëzit e qoftë (vecanërisht) nga nxënësit e tij (shih Rainer Riesner, “Teacher”, Dictionary of Jesus and the Gospels [Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1992], fq. 807; Everett Ferguson, Backgrounds of Early Christianity, botimi i dytë [Wm. B. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, Michigan, 1993], fq. 538). Ky stad i përdorimit të termit mund të shihet te Mat. 23:1-7. Nga krs. i v. 2 me v. 7, shohim lidhjen mes mësimdhënies dhe titullit Rabbi. Ndërsa nga v. 7 dhe 8 (dëshira për t’u thirrur nga njerëzit “rabbi”), shohim që Rabbi nuk është akoma një term teknik për persona të autorizuar zyrtarisht. Po ashtu, sipas Gjoni 3:25-26, edhe dishepujt e Gjon pagëzorit i drejtohen këtij të fundit me titullin “rabbi” (këtu dhe në disa vende të tjera ABS e përkthen “mësues”, ndërsa në vende të tjera “rabbi”, pa asnjë arsye). Edhe personazhe të spikatura judaike të kohës, si Hilleli, Shamai apo Gamalieli (mësuesi i Palit në judaizëm, i njohur edhe si “Plaku”), thirreshin Rabbi për shkak të aktivitetit të tyre të spikatur në mësimdhënie (shih në lidhje me Gamalielin Vep. 5:34; 22:3; po ashtu Mishnah, traktati Sotah 9.15 “kur Rabban Gamalieli Plaku vdiq, lavdia e ligjit ndaloi dhe pastërtia e të përmbajturit vdiq”).
Në lidhje me marrëdhënien e mësuesit me nxënësin, Eduard Lohse, duke trajtuar përdorimin e këtij termi në judaizëm, vëren se një nxënës që kërkonte të mësonte më shumë nga Shkrimi dhe Tradita, i drejtohej një rabini të njohur dhe kërkonte të hynte në grupin e nxënësve të tij. Nëse rabini pranonte, ai bëhej një nxënës/dishepull i tij (heb. talmid; gr. mathetes). Nga kontakti i përditshëm me mësuesin, përmes mësimit të tij dhe vendimeve, nxënësi mësonte Toran dhe traditën. Nxënësi ndiqte mësuesin me bindje dhe respekt, sic demonstrohet nga fakti se i adresohej atij si “rabbi” “mësuesi im”, “mjeshtri im”. Respekti i nxënësit për mësuesin e tij bënte që nxënësi të mbetej i lidhur më mësuesin e tij për gjithë jetën, aq sa edhe kur nxënësi kishte dishepujt e vet, vazhdonte ta quante ish-mësuesin Rabbi. Në DhR mund ta shohim lidhjen e ngushtë mes mësuesit dhe nxënësit te Mat. 10:24; 17:24 ku dishepujve u drejtohen me fjalët “Përse mësuesi juaj…”. Ndërsa te Gjoni 3:26, nga mënyra se si dishepujt e informojnë Gjon pagëzorin për aktivitetin e Jezusit, mund të shohim se lidhja e nxënësit me mësuesin shkon deri në xhelozi.
Në DhR, termi gr. rhabbi është transliterim i termit heb. rabbi dhe shfaqet vetëm tek Ungjijtë (nga të cilët vetëm Luka nuk e përdor). Nga 15 rastet gjithsej, në vetëm 3 raste nuk përdoret për Jezusin. Këtu mund të përmendim edhe 2 rastet e përdorimit të termit rhabbounei (transliterim i termit aram. rabboni) për Jezusin. Këtyre duhet t’u shtojmë edhe numrin e madh të përdorimeve të termave gr. didaskalos “mësues” dhe epistates “mjeshtër”, të cilët u korrespondojnë, në të folmen e përditshme të hebrenjve, termit heb. rabbi (krs. Mat. 23:8 ku në rastin e parë kemi rabbi, ndërsa në rastin e dytë didaskalos, të përdorur paralelisht) (shih Eduard Lohse, TDNT, fq. 964). Prej këtu mund të shohim se aktiviteti i Jezusit si Rabbi/Mësues përbën një aspekt të rëndësishëm të shërbesë së tij.
Jezusit i drejtohen me titullin Rabbi jo vetëm dishepujt (shih Gjoni 1:38, 49; 4:31; Mar. 9:5; Mat. 26:25, 49), por edhe persona të tjerë (shih Gjoni 6:25; 3:2). Të njëjtën gjë mund ta themi edhe në lidhje me termin didaskalos “mësues”, të përdorur në referim të Jezusit, nga dishepujt (Mar. 4:38; 9:38; 10:35; Luka 7:40), dhe nga persona të tjerë (Mat. 8:19; 12:38; Mar. 9:17). Jezusi, jo vetëm e pranoi këtë formë adresimi nga të tijtë dhe nga të tjerët, por edhe vetë e përdor në referim të vetvetes (Mar. 14:14; Gjoni 13:13). Kjo demonstron se edhe Jezusi vetë e shihte shërbesën e tij si ajo e një rabbi/mësuesi. Por jo vetëm kaq, te Mat. 23:8 ai e identifikon vetveten si Rabbi/Mësuesi ekskluziv i dishepujve (krs. Mat. 7:26-29; 24:35). Në fakt, ndryshe nga praktika e përgjithshme e rabinëve, Jezusi nuk mësonte vetëm nxënësit e tij, por mësonte edhe turmat në vende të hapura (jo vetëm në sinagogë, sic ishte praktika) (shih Rainer Riesner, “Teacher”, fq. 808). Kjo ishte vecanësia e shërbesë së tij si rabbi. Megjithatë, këtu nuk do të ndalemi në mësimin publik të turmave, por në mësimin e dishepujve, megjithëse një ndarje e prerë mes tyre nuk mund të bëhet, sepse, në mjaft raste, mësimi i tij drejtuar dishepujve bëhet në vende publike ose në prani edhe të personave të tjerë.
Së pari, është për t’u shënuar se, në ndryshim nga praktika e kohës ku nxënësi zgjidhte mësuesin e vet, në rastin e Jezusit është ai që zgjedh të dymbëdhjetët si dishepuj (Mar. 3:13-14; Luka 6:12-16).
Së dyti, një rabin u mësonte nxënësve të tij interpretimin e Shkrimeve dhe aplikimin e Toras (Ligjit të Moisiut) në jetën e përditshme, duke iu drejtuar interpretimit të traditës (krs. Mat. 15:1-6; Mar. 7:5). Përkundër, Jezusi ofronte interpretimin e tij të Shkrimeve “unë po ju them” (Mat. 5:17-48), duke vendosur autoritetin e vet përkundër autoritetit të Traditës judaike (Mat. 7:29). Nga ky këndvështrim, Jezusi i udhëzon dishepujt që të mos thërrasin askënd tjetër mësues, sepse vetëm Ai është Mësuesi i tyre. Askush në Kishën e Krishtit nuk mund të vendoset në autoritetin e Krishtit (si psh. në katolicizëm).
Së treti, Jezusi mësoi dishepujt në lidhje me etikën, duke u dhënë udhëzime për sjelljen e tyre në mes tyre dhe ndaj të jashtëmve (Mat. 5-7).
Së katërti, Jezusi mësoi përmes fjalës dhe përmes shembullit (Gjoni 13:12-17; krs. Mat. 5:43-48 me Luka 23:33-34).
Së pesti, Jezusi u mor me trajnimin, motivimin dhe praktikimin e dishepujve si predikuesit e ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë, duke i dërgur të predikonin dhe shëronin (Mat. 10; Luka 10:1-12; krs Mar. 3:14). Po ashtu, në qëndrimet private me dishepujt, Jezusi u shpjegoi kuptimin e disa shëmbëlltyrave (Mat. 13:10-23, 34-52), u foli për shërbesën e tij si Mesia, e u zbuloi vuajtjet dhe ringjalljen e tij (Mar. 8:27-32; 10:35-45; Luka 9:18-22; 18:31-34; Gjoni kap. 13-16). “Në këtë mënyrë, të dymbëdhjetët u bënë transmetues të kualifikuar të mësimit të Jezusit pas ndodhisë së pashkës (Vep. 1:21-26; 2:42; 6:4)” (Rainer Riesner, “Teacher”, fq. 809).
E gjithë kjo paraqitje shumë e përgjithshme e shërbesës së Jezusit si Rabbi i dishepujve e tij, na demonstron se Jezusi, gjatë shërbesës së tij rreth 3 vjecare, u mor në mënyrë të vecantë me mësimin dhe formimin e njerëzve që do të ishin të përgatitur në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë dhe në formimin e kishës që do të lindej pas largimit të tij. Luka na jep një pamje të mrekullueshme të gjithë kësaj, kur na transmeton fjalët që Jezusi ua drejton dishepujve pas ringjalljes së tij (Luka 24:44-49). Tani që Jezusi do të largohej prej tyre, mjfton që t’u kujtojë dishepujve se gjithë c’ka ndodhur ishte në përputhje me mësimin që u kishte dhënë gjatë shërbesë së tij në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta. Jezusi nuk u jep një mësim të ri që ata nuk e kishin marrë më përpara, kur ai kishte qenë me ta. As nuk u thotë se disa gjëra kishin mbetur pa u mësuar për shkak të ekzekutimit të tij. Ajo që ata kishin nevojë ishte vetëm që Jezusi t’u hapte mendjen për t’i kuptuar Shkrimet nën dritën e përmbushjes së tyre në personin e Tij dhe të merrnin fuqi nga Fryma e Shenjtë për të qenë dëshmitarët e Tij në botë (jo vetëm të gjërave që kishin parë, por edhe të gjërave që kishin mësuar, shih Vep. 4:18-20).
Si aplikim për ne sot mund të themi se: të qenët i aftë për të drejtuar kishën nuk ka të bëjë thjesht e vetëm me besimin se Fryma e Shenjtë udhëheq për të predikuar e mësuar sic duhet, pavarësisht nga përpjekjet tona për t’u formuar në një njohje të vazhdueshme sistematike të Shkrimit të Shenjtë dhe doktrinës së krishterë. Po të ishte gjithcka e lidhur vetëm me praninë e Frymës së Shenjtë, Jezusit do t’i mjaftonte që t’u premtonte dishepujve ardhjen e Frymës së Shenjtë. Ndoshta, pas idesë se i gjithë formimi i drejtuesit varet te prania e Frymës së Shenjtë, qëndron një keqkuptim i veprimtarisë dhe rolit të Frymës së Shenjtë në shërbesën e drejtuesit. Po ashtu, vendosja apo emërimi i drejtuesve të rinj, nga ana e misionarëve apo e drejtuesve që duan të ripërtërijnë udhqëheqjen e kishës lokale, nuk duhet bërë pa u angazhuar më parë në formimin dhe mësimim e tyre, për t’i aftësuar në përmbushjen e kësaj shërbese fisnike.

11 March 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës?

Pjesa e I: A ishin apostujt njerëz të paarsimuar? (vazhdim)
Në postimin paraardhës pamë se njohja e sfondit historik në të cilin jetuan apostujt është i rëndësishëm për t’iu përgjigjur pyetjes së shtruar. Qëllimi dhe mënyra e funksionimit të sistemit arsimor judaik të kohës na demonstron se apostujt, si shumica e judenjve meshkuj të kohës, ishin rritur dhe edukuar në njohjen dhe aplikimin e Shkrimeve të DhV. Mbi këtë bazë ne mund të ndalemi të interpretojmë Vep. 4:13.
Në këtë varg, Luka na tregon reagimin e Sinedrit ndaj përgjigjes që Pjetri dhe Gjoni i dhanë pyetjes së tyre “Në cilën fuqi, ose në emër të kujt e bëtë ju këtë?” (v. 7). Luka thekson se ata, nga njëra anë “u mrekulluan” dhe, nga ana tjetër, “njihnin se kishin qenë me Jezusin”. Luka shpjegon pse-në e këtij reagimi të tyre, përmes dy pjesoreve (që në shqip mund të përkthehen përmes përcjellores) “duke parë” dhe “duke kuptuar”. Çfarë ata panë ishte “çiltërsia” me të cilën apostujt shpallnin Jezusin si Mesia i ringjallur përmes të cilit vjen shpëtimi. Termi gr. parresia “çiltërsi”, “siguri”, “guxim”, “liri të foluri”, “qartësi të foluri” përdoret shpesh në kontekstin e të folurit publik (krs. Mar. 8:32; Gjoni 7:13, 26; 10:24; 11:14; 16:29; 18:20; 2 Kor. 3:12). Në DhR është një term i rëndësishëm në kontekstin e shpalljes së mesazhit të krishterë (shih Vep. 2:29; 4:29, 31; 9:27, 28; 28:31; Ef. 6:19). Në raste të tilla, termi tregon “lirinë e të folurit me guxim dhe haptazi në shpalljen e fjalës në lidhje me Jezusin” (Cleon L. Rogers Jr. & Cleon L. Rogers III, The New Linguistic and Exegetical Key to the Greek New Testament [Zondervan Publishing House, Grand Rapids, Michigan, 1998], fq. 236). Ndërsa në rastin që po shqyrtojmë, termi tregon guximin dhe lirinë me të cilën apostujt po flisnin për Jezusin, përballë një institucioni që kishte jo vetëm autoritet në cështjet fetare, por edhe pushtet për të ndëshkuar kundërshtarët.
Çfarë ata “kuptuan” ishte se Pjetri dhe Gjoni “ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim”. Në fakt, një përkthim më i saktë do të ishte “njerëz të paarsimuar dhe të zakonshëm”. Përkthimit “të pamësuar” i korrespondon në gr. termi agrammatoi. Fjalëpërfjalë termi do të thotë, “i paaftë për të shkruar”, dhe përdorej në kuptimin “analfabet” apo “i pashkollë”. Kur Luka vë në dukje se anëtarët e Sinedrit “kuptuan se ishin të paarsimuar”, nuk do të thotë se ata “kuptuan se ishin analfabet”. Sistemi arsimor judaik, referimi që Pjetri u bën shkrimeve të DhV, qoftë në predikimin ditën e Pentekostit, qoftë në predikimin në Tempull (3:18-25) e qoftë në fjalën përpara Sinedrit (v. 11), është e qartë se për anëtarët e Sinderit, shprehja “kuptuan se ishin njerëz paarsimuar” nuk do të thotë “kuptuan se ishin analfabetë, që nuk dinin shkrim e këndim”, por kuptuan se ishin pa formimin e lartë rabinik, që t’i bënte të aftë për të shtjelluar Shkrimet (shih edhe Fjalor Greqisht-Shqip i Dhiatës së Re [Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, Tiranë, 2007] në lidhje me termin). Të njëjtën cudi shfaqën udhëheqësit judenj edhe ndaj Jezusit, kur ky po mësonte në tempull (Gjoni 7:14-15). Edhe në rastin e Jezusit, cudia e tyre nuk do të thotë se ata mendonin që Jezusi ishte analfabet, por se Jezusi nuk kishte marrë formimin formal rabinik, e megjithatë ai mësonte në mënyrë autoritative (Gjoni 7:46; krs. edhe Mat. 7:28-29). Komentuesi i respektuar ungjillor Donald Carson, në komentarin e tij të mirënjohur të Ungjillit të Gjonit, bën këtë koment: “Pyetja në greqisht (fjpërfj. ‘Si i ditka ky njeri shkronjat [grammata]...?’) do të thotë: ‘si ka mundësi që ai di shkrim e këndim?’ Por në të vërtetë, një arritje e tillë bazilare ishte e zakonshme ndër judenjtë (sidomos ndër meshkuj) dhe nuk do të ngjallte asnjë cudi. Më saktë, ata u shtangën që dikush, i cili nuk kishte studiuar në një ndër qendrat e mëdha arsimore rabinike, apo me një nga rabinët e famshëm, të kishte një zotërim të tillë të Shkrimeve dhe një mjeshtëri të tillë të foluri në shtjellimin e tij. Rreth një vit më pas, në mënyrë të ngjashme, Pjetri dhe Gjoni hutuan autoritetet fetare të cilat u detyruan të vërenin që, megjithëse ata ishin ‘njerëz të pashkollë (agrammatoi), të zakonshëm’ (Vep. 4:13), kishin qenë me Jezusin dhe, me sa dukej, e kishin marrë njohurinë dhe autoritetin nga ai shtjellim.” (Donald A. Carson, The Gospel According to John, The Pillar New Testament Commentary [Apollos, Leicester, England/ WmB. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, Michigan/ Cambridge, UK, 1991], fq. 311. Kështu edhe Merrill C. Tenney, “The Gospel of John”, The Expositor’s Bible Commentary [The Zondervan Corporation, Grand Rapids, Michigan, 1981], vëll. 9, fq. 84).
Ky interpretim mbështetet edhe nga termi gr. idiotai, që ABS e përkthen “pa arsim”. Në fakt, termi gr. idiotes tregon një person si “të pakualifikuar” apo “jo ekspert” në një fushë të caktuar i cili qëndron në kontrast me një ekspert apo specialist (shih përdorimin e këtij termi te 2 Kor. 11:6 per retoriken filozofike) (shih Bauer-Danker-Arnd-Gingrich, A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature, botimi i tretë [The University of Chicago Press, Chicago and London, 2000], zëri idiotes; Ceslas Spicq, Theological Lexicon of the New Testament [Hendrickson Publishers, Peabody, Massachusetts, 1994], fq. 213). Në rastin e Pjetrit dhe Gjonit, sinderi kuptoi se ata nuk ishin ekspertë (në përputhje me standartet rabinike) në shtjellimin e Shkrimeve, por njerëz të zakonshëm. Shkrimtari i mirënjohur konservator John MacArthur, në komentarin e tij bën këtë koment: “Ata u cuditën që njerëz të paarsimuar (në shkollat rabinike) dhe të thjeshtë (jo teologë profesionistë, laikë) mund të argumentonin në një mënyrë aq efektive nga Shkrimet.” (“Acts”, The MacArthur New Testament Commentary, [Moody Press, Chicago, 1994], fq. 135). Po ashtu edhe Simon Kistemaker: “Si është e mundur që peshkatarë të thjeshtë e të zakonshëm nga Galilea, t’u adresohen në mënyrë të aftë dhe elokuente anëtarëve të ditur të gjykatës së lartë? Këta peshkatarë citonin dhe aplikonin Shkrimet; ata ishin të aftë të predikonin me efikasitet. E megjithatë, ata nuk kishin marrë asnjë formim formal teologjik nga mësues të njohur. Theksi i tyre galileas dhe paraqitja e tyre, padyshim demonstronin se i përkisnin shtresës së pashkolluar. Kjo nuk do të thotë se apostujt nuk kishin mësuar shkrim e këndim, sepse shkrimet e tyre e dëshmojnë këtë. Megjithatë, atyre u mungonte shkollimi formal teologjik. Luka raporton se ata vlerësoheshin si ‘të paarsimuar dhe të paformuar’, d.m.th. ata dalloheshin se nuk ishin ekspertë në teologji, por njerëz të zakonshëm” (Simon J. Kistemaker, Exposition of the Acts of the Apostles, New Testament Commentary [Baker Book House, Grand Rapids, Michigan, 1990], fq. 157-158).
Atëherë, për anëtarët e Sinedrit, nëse ata nuk kishin marrë një formim të tillë nga shkollat rabinike, nga i vinte guximi dhe aftësia për të argumentuar për cështje të tilla? Luka na thotë se ata “njohën/pranuan se kishin qenë me Jezusin”. Anëtarët e Sinedrit kishin patur raste për të dëgjuar mësimin e Jezusit, si dhe të shihnin autoritetin me të cilin mësonte, megjithëse ai nuk kishte marrë formimin rabinik të kohës (shih Gjoni 7). Aftësia e tyre e argumentimit dhe siguria me të cilën flisnin, pasqyronin cilësitë e mësuesit të tyre. Këtu po sjell komentet e disa studiuesve ungjillorë. Kistemaker: “Anëtarët e gjykatës filluan të shohin ngjashmëri mes Jezusit dhe apostujve. Udhëheqësit judenj (shumica e të cilëve u përkitnin Sinedrit) ishin mrekulluar kur Jezusi mësoi haptazi në tempull gjatë festës së tabernakujve. Ata kishin pyetur: ‘Si i ditka ky njeri shkronjat, pa studiuar?’ (Gjoni 7:15)… Kryeprifti dhe anëtarët e tjerë të gjykatës u mrekulluan dhe panë lidhjen e qartë mes Jezusit dhe dishepujve të tij (...). Jezusi i pashkollë, që kishte qenë i aftë në shtjellimin e Shkrimeve, kishte trajnuar dishepuj që do të vazhdonin veprën e ndërprerë për shkak të vdekjes së tij.” (Exposition of the Acts, fq. 158). John MacArthur shkruan: “Ajo që shokoi Sinedrin ishte të kuptonin se apostujt po bënin atë që kishte bërë Jezusi. Ashtu si apostujt, Jezusi, me autoritetin e tij dhe të vërtetën, kishte përballuar me guxim dhe pa frikë udhëheqësit judenj (krs. Mat. 7:28-29). As ai nuk kishte patur formim formal rabinik (krs. Gjoni 7:15-16). Megjithatë, me trajtimin e tij të sigurtë të Shkrimeve të DhV nuk e kishte shokun (krs. Gjoni 7:46)” (Acts, fq. 135). Richard Longenecker: “Megjithëse shkrim e këndimi ishte në shkallë të lartë ndër judenjtë e shek. I (…), debatet teologjike kërkonin trajnim rabinik. Ngaqë të ashtuquajturit am haarec (‘njerëzit e tokës’) nuk e kishin një trajnim të tillë, shiheshin si të paaftë të përballonin diskutime teologjike. Por këtu është Pjetri e Gjoni, për të cilët këshilli pa se ishin ‘të pashkollë dhe njerëz të zakonshëm’, që flasin pa frikë dhe me guxim përpara gjykatës së lartë judaike dhe senatit. Gjykatësit e tyre vec mund të mrekulloheshin që njerëz të tillë të zakonshëm kishin aq mjeshtëri në argumentimin biblik (…). Kështu, ata duhej t’i drejtoheshin shpjegimit të vetëm të mundshëm – ‘këta njerëz kishin qenë me Jezusin’, i cili, megjithëse pa trajnimin rabinik, mësonte ‘si një që ka autoritet’ (Mar. 1:22). Te ky fakt ata e përqendruan vëmendjen e tyre (…) si një e dhënë e rëndësishme për cështjen që kishin përpara.” (The Acts of the Apostles, fq. 306).
Në përfundim të interpretimit të Vep. 4:13, mund të themi se ky tekst nuk argumenton se apostujt ishin të paarsimuar, e si rrjedhim pa njohje paraprake të Shkrimeve të DhV, por që, për udhëheqësit fetar judenj, ata nuk kishin formimin rabinik që kërkohej në atë kohë për t’u përfshirë në argumentime teologjike dhe biblike. Nga ana tjetër, teksti argumenton se qëndrimi me Jezusin, si dishepuj të tij, i kishte përgatitur apostujt të argumentonin në mënyrë të fuqishme mesazhin e krishterë, edhe përballë njerëzve formimi i të cilëve nuk vihej në diskutim.
Ndersa në lidhje me temën tonë “A është i domosdoshëm një formim teologjik i drejtuesit të kishës?”, ky tekst argumenton se një formim i tillë është i domosdoshëm për të shpallur Fjalën. Ashtu si apostujt, të cilët gjatë qëndrimit rreth 3 vjecar me Jezusin, kishin nevojë të merrnin formimin e nevojshëm për t’i shtjelluar në mënyrë të saktë Shkrimet dhe për të dëshmuar prej tyre se Jezusi ishte Mesia, për të cilin flisnin Shkrimet e DhV (krs. vgj. 11-12, 18-20 si citim dhe interpretim i teksteve te DhV), edhe drejtuesit e sotëm kanë po të njëjtën nevojë. Jezusi nuk ishte thjesht një udhëheqës shpirtëror që kishte mbledhur rreth vetes ca ithtarë që thjesht kishin një njohje paraprake të Shkrimeve. Ai ishte Mësuesi (në kuptimin absolut) që, gjatë shërbesës së vet, përgatiti udhëheqës të cilët, pas largimit të tij, do të ishin të aftë të bënin dishepuj dhe t’u mësonin të gjitha gjërat që kishin marrë prej Tij (Mat. 28:19-20; krs. Vep. 2:42a; 6:4). Edhe drejtuesit e sotëm shqiptar duhet të binden se vetëm një njohje e përgjithshme e Biblës nuk mund t’i bëjë të aftë të mësojnë drejt dhe të drejtojnë me efikasitet kishën. Ne kemi nevojë t’i përkushtohemi një formimi sa më të plotë në doktrinën e krishterë.

07 March 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës? (Pjesa I)

Pjesa e I: A ishin apostujt njerëz të paarsimuar?
Vlerësimi i përgjithshëm për apostujt është që ata ishin njerëz të paarsimuar. Arsyeja kryesore e një vlerësimi të tillë është se disa prej tyre na paraqiten si peshkatarë, që për ne d.m.th. njerëz të paarsimuar. Ky vlerësim duket se mbështetet nga Vep. 4:13 që ABS e përkthen “Ata, kur panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe, duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin”. Nisur nga ky vlerësim, kur shohim se Jezusi zgjodhi si apostuj nga kategoria e peshkatarëve të paarsimuar e jo nga skribët apo nga farisejtë, arrihet shumë shpejt në përfundimin se Jezusi nuk e konsideronte të rëndësishëm (ose të nevojshëm) formimin formal teologjik.
Për të patur një ide në lidhje me sa të arsimuar ishin apostujt, më së pari është e domosdoshme të kemi një ide të përgjithshme në lidhje me sistemin arsimor judaik të kohës. Që në fillim duhet theksuar se “Synimi i edukimit judaik ishte fetar, njohja dhe praktikimi i Toras. Në vend që të studionin Homerin dhe dramaturgët, nxënësit mësonin Shkrimet dhe traditat gojore të skribëve” (Everett Ferguson, Backgrounds of Early Christianity, botimi i dytë [Wm. B. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, Michigan, 1993], fq. 102). Me pak fjalë, “studimi i Toras ishte përbërësi kryesor i të gjitha fazave të edukimit judaik në periudhën greko-romake” (D. F. Watson, “Education: Jewish and Greco-Roman”, Dictionary of New Testament Background, [InterVarsity Press, Downers Grove, IL, 2000], fq. 311). Dhe meqenëse për judenjtë, gjithë jeta e tyre private dhe publike bazohej mbi Ligjin e Moisiut (Torah), në cdo vend ku kishte një sinangogë kishte edhe një shkollë për të gjithë fëmijët (kryesisht meshkuj) nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Sistemi arsimor në Palestinë, ashtu si në shoqërinë greko-romake, ishte i ndarë në tri shkallë: shkolla fillore, shkolla e mesme dhe e lartë (Everett Ferguson, Backgrounds, fq. 100). Shkolla fillore e quajtur beth Sepher/Sopher “shtëpia e leximit/e skribit” ishte për fëmijët nga 6-10 vjec. Në të mësohej shkrim e këndim i hebraishtes, ndërsa si lëndë Shkrimet e DhV. Thelbi i leximit ishte mësimi përmendësh. Qëllimi: memorizimi i sa më shumë teksteve nga Shkrimet e Shenjta. Gjatë kësaj periudhë lexoheshin të gjithë librat e DhV hebraisht.
Shkolla e mesme, e quajtur beth midrash “shtëpia e instruktimit” ose beth talmud “shtëpia e të nxënit [të ligjit gojor]”, përfshinte moshat 10-13 vjec. Objekt i studimit të saj ishte ligji gojor, d.m.th. komentimi i Shkrimeve (midrash) apo trajtimi tematik i kërkesave ligjore (mishnah). Edhe kjo shkollë bëhej në një godinë pranë sinagogës dhe mbështetej financiarisht prej saj. Greqishtja nuk mësohej në asnjë shkollë judaike.
Shkolla e lartë nuk konsistonte, në fakt, në ndonjë formë të organizuar. Si rrjedhim, shumica nuk vazhdonte më tej në studime, por mësohej ndonjë zanat (edhe ky një detyrim ndër hebrenjtë). Megjithatë, fëmijët e kësaj moshe (megjithëse në shoqërinë judaike një 13 vjecar nuk konsiderohej më fëmijë në raport me Ligjin, por i rritur, i aftë të zbatojë Ligjin, krs. Luka 2:42, 46) me prirje të spikatur (krs. për Palin Gal. 1:14) dërgoheshin te ndonjë studiues ose rabin i njohur i kohës, për studime të mëtejshme (krs. për Palin Vep. 22:3). Në këtë nivel, studenti mësonte interpretimin e Shkrimeve dhe opinionet legale të rabinëve (talmud). Studimet e këtij niveli e përgatitnin personin për t’u bërë rabin, mësues ose kryetar sinagoge.
Kjo panoramë demonstron sipas Ferguson se “mes një numri të madh judenjsh duhej të kishte një shkallë të lartë arsimimi, më shumë se në cdo popull tjetër të botës antike.” (Backgrounds, fq. 103). Prandaj, ne mund të jemi të sigurt se apostujt ishin të arsimuar në një shkallë të mjaftueshme për standartet e kohës në lidhje me përmbajtjen e Shkrimeve të DhV dhe të traditës gojore judaike. Kjo konfirmohet në mënyrë indirekte edhe nga tekste si Luka 24:25-27; Gjoni 1:41, 45; 2:17, 22; 20:9 në të cilat implikohet një njohje paraprake e Shkrimeve.
Një vend i vecantë vlen t’i kushtohet predikimit të Pjetrit në ditën e Pentekostit te Vep. 2:14-36. Në predikimin e tij, Pjetri arrin të citojë përmendësh një pjesë të gjatë nga libri i Joelit (vgj. 16-21) dhe dy pjesë nga Psalmet e Davidit (vgj. 25-28, 34-35). Përsa i përket interpretimit të tyre, në lidhje me profecinë e Joelit Richard N. Longenecker (“Acts”, The Expositor’s Bible Commentary [The Zondervan Corporation, Grand Rapids, Michigan, 1981], vëll. 9, fq. 275) vëren: “Përdorimi që i bën Pjetri pjesës nga Joeli, është në linjë me atë që ne kemi mësuar ta quajmë, që nga zbulimi i rotujve të Detit të Vdekur, si ‘pesher’ (nga heb. P@v\r, ‘interpretim’). Ajo e vendos të gjithë theksin te përmbushja, pa synuar të ekzegjezojë detajet e profecisë biblike; ajo ‘interpreton’. Kështu, Pjetri e citon pjesën përmes formulës tipike hyrëse pesher: ‘kjo është ajo’”.
Ndërsa në lidhje me interpretimin e pjesëve nga Psalmet, Longenecker shkruan: “Këtu Pjetri citon nga Psalmi 16:8-11 (LXX) dhe Psalmi 110:1, në mbështetje të asaj që sapo ka thënë për Jezusin në v. 24. Citimet përmenden së bashku, në përputhje me rregullën e dytë të rregullave ekzegjetike midrashike (middot), të cilat i atribuohen në kohë Rabbi Hillelit (d.m.th. gëzerah shavah apo ‘analogjia verbale’, sipas të cilës, nëse e njëjta fjalë shfaqet në dy pjesë të ndryshme, i njëjti vlerësim vlen për të dyja). Të dy citimet kanë ‘në të djathtën time’, prandaj ato trajtohen me qëllim së bashku (krs. v. 33). Për më tepër, të dy citimet përdoren në formën pesher (...), sepse është mënyra e të kuptuarit si pesher që ngjall deklarimin hyrës ‘Davidi tha për të’, dhe kjo ia aplikon citimet tërësisht Jezusit” (“Acts”, fq. 279).
Drita që hedh Longenecker në lidhje me cfarë po trajtojmë këtu për arsimimin apo formimin e apostujve (dhe të Pjetrit, në vecanti) është e madhe. Pjetri dhe (mundësisht) apostujt e tjerë, jo vetëm që njihnin mirë Shkrimet e DhV, por edhe ishin të aftë të përdornin rregullat e mirënjohura të interpretimit në traditën judaike, për të transmetuar mesazhin e krishterë. Kjo do të thotë se apostujt, jo vetëm që nuk ishin të paditur, por ishin mjaftueshëm të formuar në njohjen dhe interpretimin e Shkrimeve për të drejtuar Kishën dhe për të shpallur Fjalën.
Tani mund të ndalemi në interpretimin e Vep. 4:13. (vazhdon)