22 July 2008

Kthim në dashurinë e parë (pjesa II)

Megjithatë, Krishti i thotë “por kam dicka kundër teje: dashurinë tënde, të parën, e le” (v. 4). Në pamje të parë ky qortim është shokues, sepse po të mos kishim këtë qortim, do të thonim se kjo kishë ka një dashuri të fortë për Zotin. Cfarë ka atëherë që nuk po funksionon si duhet në këtë kishë aq sa Krishti t’i paralajmërojë ashpër në v. 5? Për këtë nevojitet të dijmë kuptimin e ndërtimit “dashuri e parë”.
Mbiemri protos “i/e parë” përdoret në 3 kuptime kryesore:
1. për të treguar parësi në sekuencë, qoftë gjërash, personash ose ngjarjesh (Heb. 10:9; Mat. 22:25-26; Zb. 4:7; 2 Tim. 4:16). Në këtë rast dicka e dytë apo e tretë duhet pritur ose nënkuptuar.
2. për të treguar parësi në kohë. Në këtë rast përcakton dicka si “të hershme” ose “fillimore” (Fil. 1:5; Zb. 2:5; 2 Pj. 2:20). Në ndonjë rast ky kuptim përfshin edhe të parin (Zb. 20:5-6).
3. për të treguar parësi në rëndësi. Në këtë rast përcakton dicka si “më e rëndësishme” ose “kryesore” (Mat. 20:27; Luka 15:22; 1 Kor. 15:3).

Në tekstin që po shqyrtojmë “dashuria e parë” nuk mund t’i referohet kuptimit të parë “parësi në sekuencë”, sepse në këtë rast do të nënkuptohej një “dashuri e dytë” dhe kuptimi do të ishte qw ata janw larguar nga Perëndia për t’iu drejtuar dikujt tjetër!!
Kuptimi i dytë (“parësi në kohë”) është i mundur, sic sugjerohet nga shprehja “bëj veprat e para” (v. 5) d.m.th. “bëj veprat e fillimit”. Në këtë rast Krishti po u flet për dashurinë që kishin në fillim. Por në këtë rast mbetet e papërcaktuar përmbajtja e “dashurisë së parë”. Me një fjalë, cfarë është “dashuria e parë” të cilën ata e kanë lënë?
Kuptimi i tretë (“parësi në rëndësi”) është më i mundshëm, sepse në këtë rast Krishti po përcakton përmbajtjen apo karakterin e dashurisë. Patjetër që në qortimin e Krishtit implikohet edhe koha e fillimit, por shqetësimi i Krishtit nuk është kthimi te dashuria e parë si kohë, por kthimi te dashuria e parë si përmbajtje. Prandaj, kuptimi i fjalëve të Krishtit është “dashurinë tënde, atë më të rëndësishmen, e le”. Kjo e përjashton tundimin tonë për të parë te “dashuria e parë” një referim për djenjat e zjarrta të fillimit, si dashuria pasionante e të dashuruarve që shuhet me kalimin e viteve në martesë. Në fund të fundit, përvoja dhe pjekuria, megjithëse nuk arrin të mbajë gjallë emocionet e fillimit, ruan përmbajtjen e asaj që është dashuria. Pastaj, thirrja e Krishtit në v. 5 është për një kthim te veprat konkrete të fillimit si shprehje e përmbajtjes së kësaj dashurie e jo te ndjenjat e fillimit. Po ashtu edhe kuptimi “dashuri intensive” si zell është për t’u përjashtuar, sepse, sic shprehet D. A. Carson në librin Love in Hard Places, “kur intensiteti i dashurisë për Perëndinë shuhet, zakonisht ne shohim lindjen e apatisë dhe mungesën e zellit. Ndërsa kjo kishë vlerësohet për besnikërinë e saj, zellin, këmbënguljen dhe madje frymën e dallimit.” (fq. 183).
Çfarë do të thotë atëherë “dashurinë tënde, atë më të rëndësishmen, e le”?
Mënyra e duhur është duke iu drejtuar përsëri përdorimit të mbiemrit protos “i/e parë” në kontekstin e mësimit të Jezusit. Te Mar. 12:28-34, ku protos “i/e parë” do të thotë “më i rëndësishëm”, Jezusi deklaron se ta duash Perëndinë me gjithë qenien tënde, dhe ta duash tjetrin prosi vetveten janë urdhërimet kryesore dhe të pandashëm nga njëri-tjetri. Dashuria për Perëndinë dhe dashuria për tjetrin janë një e të pandashme; dështimi i njërës është edhe dështim i tjetrës dhe anasjelltas. Në këtë drejtim shkon edhe vetë Gjoni në letrat e tij. Në to ai e vendos theksin te fakti se dashuria e Perëndisë dhe dashuria për tjetrin janë të pandashme, aq sa dështimi në dashurinë për tjetrin është dështim në dashurinë për Perëndinë (1 Gjon. 2:3-11; 3:11-24; 4:7-21).
Mbi këtë bazë, qortimi i Krishtit “dashurinë tënde, atë më të rëndësishmen, e le” do të thotë: “dashuria për Zotin e shprehur në dashurinë për njëri-tjetrin është shuar”. Megjithëse nuk mund ta dijmë me saktësi cfarë po ndodhte konkretisht, nga aq sa shohim këtu, kisha e Efesit ishte kthyer thjesht në një kishë doktrine dhe aktiviteti në shërbesë, por pa jetë të shëndoshë komunitare. Por nuk është ky lloji i kishës që kërkon Krishti. Kisha nuk është vetëm vendi i doktrinës së shëndoshë dhe veprimtarisë, por edhe (dhe së pari) vendi i marrëdhënieve të karakterizuara nga dashuria reciproke. Ne mund të jemi të gatshëm të mbrojmë me cdo kusht bindjet tona dhe doktrinën e shëndoshë, por nëse nuk respektojmë njëri-tjetrin, nëse nuk jemi të gatshëm të kërkojmë falje dhe të falim sinqerisht, nëse vetvetja jonë qëndron mbi të mirën e tjetrit dhe interesin e komunitetit, dashuria ka avulluar. Doktrina dhe besnikëria në shërbesë janë skeleti i kishës, ato që e mbajnë në këmbë atë, por dashuria e sinqertë për njëri-tjetrin janë muskujt dhe ligamentet që i japin formë trupit dhe e vënë në lëvizje. Pa muskujt dhe ligamentet e dashurisë, skeleti i doktrinës është vetëm një fantazëm pa jetë e formë.
Në fakt, kaq i rëndësishëm është ky aspekt (dashuria për Zotin e shprehur në dashurinë për njëri-tjetrin) saqë Krishti i bën thirrje të ndërgjegjësohet “se nga ke rënë dhe pendohu” (v. 5a). Ndajfolja pothen “nga” do të thotë “nga c’vend”, “nga ku”, por në përdorimin figurativ (si këtu) do të thotë “kujtohu nga c’gjendje e lartë ke rënë” (NET; BDAG 1).
Në rast mospendimi, Krishti e paralajmëron kishën se “do të vij së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (v. 5b). Shprehja “do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet” do të thotë “do ta fshij ekzistencën tënde si kishë”. Ky është një ndëshkim shumë i ashpër. Por vini re, Krishti është i gatshëm ta fshijë këtë kishë nga harta e Tij, megjithëse ata lodhen në shërbesë dhe janë besnikë ndaj doktrinës së Tij! Kjo duhet të na bëjë të mendohemi mirë. Krishti nuk është i kënaqur vetëm me doktrinën dhe shërbimin, por kërkon atë që është më e rëndësishme: dashurinë e krishterë.
Si aplikim për ne. Çfarë po bëjmë ne pas gati 17 vjetësh? A e duam Zotin me gjithë qenien tonë? Çfarë jemi të gatshëm të sakrifikojmë nga vetvetja për këtë? A e duam sinqerisht njëri-tjetrin, apo interesi ynë personal dhe i familjes përcakton cdo sjellje dhe qëndrim? Mos ndoshta egoizmi ynë po na shtyn ndoshta gjithnjë e më shumë drejt arrogancës, mungesës së respektit, mosvlerësimit të këshillave të drejtuesve, kërkimit me cdo kusht të së drejtës sonë. Mos ndoshta gjithnjë e më shumë po i fshihemi njëri-tjetrit, sepse s’ka c’u duhet të tjerëve se cfarë bëj unë! Kjo nuk do të na cojë shumë larg.
Sidoqoftë, gjithsecili do të përgjigjet për qëndrimin e vet, prandaj dhe thirrja e v. 7 është personale. Ajo synon të inkurajojë ata që pranojnë qortimin dhe pendohen. Me shumë vështirësi duhet të përpiqemi të qëndrojmë deri në fund në dashurinë për Zotin dhe për njëri-tjetrin, sepse vetëm “kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë”. Vëllezër! Kohët janë të vështira dhe ato bëhen gjithnjë e më të vështira, megjithatë thirrja që na drejtohet neve është të qëndrojmë deri në fund (Mat. 24:12-13).

No comments: