13 April 2013

Domethënia e pashkës dhe implikimet e saj në jetën e krishterë (Reflektim mbi 1 Korintasve 5:7-8)



Ndër dy festat kryesore të krishtërimit, sic janë Krishtlindja dhe Pashka, padyshim e para është më popullorja, dhe ndoshta më e festuara. Por nga këndvështrimi biblik dhe i teologjisë së krishterë, pa më të voglin dyshim Pashka është ajo më domethënësja dhe më e rëndësishmja. Ajo kremton vdekjen flijimore dhe ringjalljen e Jezus Krishtit; themelin mbi të cilin qëndron besimi të krishterë. Për këtë arsye, historikisht kremtimi i Pashkës ka qenë një rast për të reflektuar mbi domethënien dhe vlerën e vdekjes dhe ringjalljes së Jezus Krishtit për faljen e mëkateve dhe shpëtimin e përjetshëm. Megjithatë, një aspekt ndoshta pak i trajtuar i Pashkës, është ai i implikimeve konkrete që mbart për jetën e krishterë kremtimi i saj. Në këtë artikull do të ndalemi shkurtimisht të trajtojmë këtë aspekt, duke u bazuar në të vetmin vend ku apostulli Pal flet shprehimisht për Pashkën: 1 Korintasve 5:7-8.
Apostulli Pal, duke u shkruar korintasve në lidhje me një rast të rëndë imoraliteti në komunitet (1 Korintasve 5), jo vetëm i qorton për indiferencën e tyre, por edhe i nxit për një qëndrim të qartë disiplinues ndaj një rasti të tillë. Arsyeja e një qëndrimi të tillë është jo vetëm eliminimi i mëkatit, por edhe i efekteve infektuese të tij në jetën e komunitetit. Këtë Pali e argumenton përmes metaforës së majasë që e përdor në referim të mëkatit dhe efekteve të tij. Në v. 6 ai përdor një shprehjeje proverbiale: “A nuk e dini se pak maja e zë gjithë brumin?!” (shih edhe Gal. 5:9). Dhe pastaj, duke vazhduar metaforën e majasë në v. 7a, u bën thirrje korintasve të heqin mëkatin nga mesi i tyre, për të qenë në këtë mënyrë ata që janë bërë në fakt në Krishtin: një brumë i ri pa maja.
Në këtë kontekst apostulli flet për Pashkën dhe kremtimin e festës në vgj. 7b-8 me një trajtim teologjik “që ofron bazën për ekleziologjinë dhe etikën.”(Anthony C. Thiselton, The First Epistle to the Corinthians, The New International Greek Testament Commentary (Wm. B. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, Michigan/ Paternoster Press, Carlisle, UK, 2000), f. 403.) Futja këtu e temës së Pashkës e pasuar më pas me thirrjen “Prandaj le ta kremtojmë festën…” (v. 8) shtron pyetjen e se pse Pali trajton këtu edhe temën e Pashkës edhe temën e kremtimit të festës? Në përgjithësi komentuesit janë të mendimit se Pali flet për kremtimin e festës thjesht në një kuptim figurativ, duke iu referuar jetës së re në besimin në Krishtin. Por nuk është për t’u përjashtur krejtësisht mundësia që ai apo po flet për kremtimin e festës së Pashkës nga të krishterët e hershëm. Në këtë rast të fundit, ndoshta Pali është duke shkruar në një kohë përgatitjeje për kremtimin e pashkës, dhe kjo e motivon të përdorë figurën e pashkës dhe të kremtimit të festës së pashkës. Por aplikimi që Pali synon t’i bëjë domethënies së pashkës dhe kremtimit të saj (së pari në kishën në Korint), nuk kufizohet në një datë apo periudhë të caktuar kalendarike, por përfshin të gjithë jetën e krishterë.
Argumentimi i Palit duket se presupozon një njohjen paraprake që lexuesit e tij kanë për kuptimin e Pashkës hebraike dhe mënyrën e kremtimit të saj. Po ashtu, nënkuptohet se për lexuesit, vdekja flijimore e Krishtit kishte përmbushur domethënien e flisë së Pashkës hebraike, aq sa tani mund të flitet për “pashkën tonë: Krishtin”. Por Pali kërkon që korintasit të shkojnë më tej në të kuptuarit e vlerës së flisë së Krishtit si Pashka jonë; në atë të mënyrës së kremtimit të Pashkës në përputhje me kuptimin e saj. Pikërisht në këtë aspekt të fundit, Pali kërkon ta përqendrojë arsyetimin e tij, sepse thirrja në v. 7a, drejtuar situatës konkrete të korintasve, bëhet në v. 8 një thirrje e përgjithshme për të gjithë të krishterët (shih kalimin nga veta e dytë shumës në vetën e parë shumës).

I. Pashka e krishterë si përmbushje e pashkës hebraike

Pashka e krishterë, në të cilën kremtohet vdekja flijuese e Krishtit dhe ringjallja e tij, është e lidhur ngushtë me Pashkën hebraike e cila, gjithashtu, përbën festën kryesore të hebrenjve. Kjo lidhje nuk ka të bëjë thjesht me faktin se vdekja e Krishtit ndodhi historikisht në ditët e kremtimit të Pashkës hebraike, por edhe sepse vdekja e ringjallja e Krishtit përmbush kuptimin që mbartte Pashka hebraike. Kur apostulli Pal deklaron te 1 Kor. 5:7 se “Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” ai po vë në dukje lidhjen që ekziston mes flisë së Krishtit dhe flisë së Pashkës hebraike. Kjo lidhje nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por edhe me përmbajtjen e saj. Më vdekjen flijimore të Krishtit kemi tejkalimin dhe përmbushjen e kuptimit të Pashkës hebraike, aq sa tani mund të flitet për një Pashkë të krishterë (pashka jonë) që ka në thelb flijimin e Krishtit.
Festa e pashkës hebarike e ka origjinën e saj në periudhën e daljes së popullit të Izraelit nga Egjipti, ku për herë të parë Jahweh urdhëron mënyrën se si populli i tij duhej të vepronte që të dilte nga skllavëria e Egjiptit pa u prekur nga gjykimi mbi këtë të fundit. Tek Eksodi 12 Perëndia jep nëpërmjet Moisiut instruksionet për kremtimin e pashkës: kreu i familjes duhej të flijonte një qengj ose kec motak pa të meta dhe me gjakun e tij të shenjonte trarët dhe arkitraun e shtëpisë. Mishi duhej të piqej dhe të hahej po atë natë pa lënë asgjë në mëngjes dhe pa i thyer asnjë kockë. Mishi i qengjit, i shoqëruar edhe me barishte të hidhura dhe bukë të ndorme, duhej ngrënë me rrobat ngjeshur dhe shpejt e shpejt. Duke qenë se kjo ngjarje shprehte daljen apo kalimin nga skllavëria e Egjiptit në liri, kremtimi i saj do të përbënte ngjarjen kryesore për besimin hebraik, një ngjarje për t’u kremtuar vit pas viti.
Në judaizmin e periudhës së DhR, duke qenë se thelbi i pashkës është flijimi i qengjit, në përputhje me Eks. 12:21 termi “pesach” përdorej për qengjin e pashkës. Këtë përdorim e gjejmë të reflektuar në DhR, në shprehjet “të flijosh pashkën” (Mar. 14:12; Luka 22:7, “të përgatitësh pashkën” (Mar. 14:16; Luka 22:8, 13) apo “të hash pashkën” (Mar. 14:12, 14; Luka 22:8, 11, 15).(Joachim Jeremias, Theological Dictionary of the New Testament, vëll. V, f. 897, shën. 8. ) Në këtë kuptim e përdor edhe Pali termin “pashkë”, kështu që ideja e deklarimit në v. 7 është: “sepse qengji ynë i pashkës, Krishti, u flijua për ne” (shih përkth. angl. ESV, NRSV, NET, NIV; në shqip Filipaj).
Identifikimi i Krishtit me qengjin e Pashkës gjen pasqyrim në DhR që herët në sherbesën e Gjon pagëzorit me deklarimin e tij referuar Krishtit “Ja qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29, 36). Po ashtu Gjoni në ungjillin e tij vë në dukje se Jezusit nuk iu thye asnjë kockë, e këtë e sheh si përmbushje të Shkrimit: “Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër” (Gjoni 19:36), një referim i qartë për qengjin e pashkës (shih Eks. 12:46). Edhe Pjetri, duke shkruar më vonë, flet për shpengimin “me anë të gjakut të cmuar të Krishtit, si të qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjet. 1:19). Në themel të këtij identifikimi të Krishtit me qengjin e Pashkës qëndron ideja se ajo cfarë synonte të shprehte Pashka hebraike gjen përmbushje në Pashkën e re të themeluar me flinë e Krishtit. Përmes flisë së Krishtit, qengjit të Perëndisë, populli i Perëndisë ka kaluar nga jeta e vjetër në skllavërinë e mëkatit dhe e fajit ne lirinë e një jete të re që gjen përmbushje në mbretërinë e Perëndisë.

II. Implikimet etiko-moral të kremtimit të Pashkës

Pali nuk ndalet vetëm në faktin që vdekja flijimore e Krishtit është përmbushje e domethënies që kishte Pashka: clirimin nga jeta e vjetër nën skllavërinë e mëkatit. Ai e zhvillon më tej temën e Pashkës duke folur për mënyrën e kremtimit të saj. Argumentimin e tij Pali e ndërton mbi mënyrën e kremtimit të Pashkës hebraike nga judenjtë në kohën e tij. Kështu, ndërkohë që DhV bën dallimin mes Pashkës (e cila kremtohej në natën mes 14-15 të muajit Nisan [mars/prill]) dhe festës së bukës së ndorme (e cila kremtohej nga 15-21 të muajit Nisan), në judaizmin e vonë, të dyja ishin bashkuar në një dhe emri “pashkë” përdorej për të nënkuptuar të dyja. Këtë përdorim e gjejmë në DhR te Luka 22:1 (“Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.”) dhe Mar. 14:12 (“Tani, në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka…”). Bazuar tek Eks. 12:15-21, për judenjtë përgatitja për kremtimin e festës përfshinte hetimin e kujdesshëm dhe largimin nga shtëpia të cdo gjurmë majaje të mëparshme apo ushqimi të mbruajtur që ishte përdorur deri përpara festës. Tani fillon dicka e re që lë prapa të vjetrën dhe gjithcka që ka lidhje me të. Këtë ka parasysh Pali kur bën thirrjen në v. 8 për mënyrën e kremtimit të festës duke hequr majanë e vjetër, por tani duke e aplikuar në një dimension etiko-moral.
Pali nuk ia lë lexuesit ta nënkuptojë vetë kuptimin e gjuhës figurative që ai po përdor, por e shpreh shkoqur kur identifikon në majanë e vjetër “ligësinë” e “keqësinë”, dhe në bukën pa maja “sinqeritetin” dhe “të vërtetën”. Qëllimi i Palit është të vërë në dukje që, nëse përmes veprës flijimore të Krishtit kemi kalimin nga skllavëria e mëkatit në lirinë e jetës së re sipas standardeve të Perëndisë, atëherë jeta e krishterë duhet të jetë e pastruar nga cdo gjë që i përket jetës së vjetër mëkatare. Kisha si komunitet duhet të pasqyrojë atë cfarë cdo individ i krishterë është në të vërtetë: një krijesë e re, sepse të vjetrat shkruan, ja gjithcka është bërë e re (2 Kor. 5:17).
Nëse thirrja e Palit për kremtimin e festës, përtej aplikimit në gjithë jetën e krishterë, synonte edhe një aplikim imediat në kremtimin e Pashkës në kohën që po shkruante, atëherë ai po u thoshte korintasve se kremtimi i Pashkës nuk mund të ishte vetëm një cështje formale apo rituale, e shkëputur nga mënyra se si ata e jetojnë krishtërimin. Ata nuk mund të kremtonin festën duke mbajtur në gjirin e tyre majanë e vjetër të mëkatit. Kjo përbën një inkoherencë me vetë kuptimin e Pashkës. Kisha dhe individi i krishterë janë thirrur që ta kremtojnë pashkën e tyre (vdekjen e Krishtit për mëkatet) duke hequr cdo gjë mëkatare që ka të bëjë me jetën e vjetër nën skllavërinë e mëkatit dhe duke shfaqur ato standarde të reja që janë në përputhje me pozicionin e tyre të ri në Krishtin.
Duke e aplikuar sot mësimin e Palit në kremtimin e pashkës, mund të nënvizojmë dy gjëra: së pari, në nivelin komunitar, kishat duhet të reflektojnë për standardet etiko-morale në gjirin e saj. Reflektimi për vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit duhet të përbëjë një moment reflektimi jo vetëm për domethënien e veprës së Krishtit, por edhe një moment reflektimi për gjendjen e kishës e cila duhet të shprehë në mënyrë të qartë identitetin e saj si “një brumë i ri, sic jeni pa maja” (v.6). Së dyti, në nivelin individual, festimi i pashkës nuk duhet të jetë vetëm kremtimi i jashtëm ritual i Pashkës, si përmbushja e një detyrimi fetar të përvitshëm. Festimi i Pashkës duhet të jetë koherent me standardet e jetës së re në Krishtin. Më konkretisht, duhet të jetë një moment ripërtëritjeje frymërore: heqja e cdo gjëje te vjetër që nuk përputhet me shenjtërinë e krishterë, qofshin ato sjellje, qëndrime apo standarde të jetës së vjetër dhe të jetuarit e jetës së re në cdo gjë që ka të bëjë me sinqeritetin dhe të vërtetën në Krishtin.

No comments: