07 March 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës? (Pjesa I)

Pjesa e I: A ishin apostujt njerëz të paarsimuar?
Vlerësimi i përgjithshëm për apostujt është që ata ishin njerëz të paarsimuar. Arsyeja kryesore e një vlerësimi të tillë është se disa prej tyre na paraqiten si peshkatarë, që për ne d.m.th. njerëz të paarsimuar. Ky vlerësim duket se mbështetet nga Vep. 4:13 që ABS e përkthen “Ata, kur panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe, duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin”. Nisur nga ky vlerësim, kur shohim se Jezusi zgjodhi si apostuj nga kategoria e peshkatarëve të paarsimuar e jo nga skribët apo nga farisejtë, arrihet shumë shpejt në përfundimin se Jezusi nuk e konsideronte të rëndësishëm (ose të nevojshëm) formimin formal teologjik.
Për të patur një ide në lidhje me sa të arsimuar ishin apostujt, më së pari është e domosdoshme të kemi një ide të përgjithshme në lidhje me sistemin arsimor judaik të kohës. Që në fillim duhet theksuar se “Synimi i edukimit judaik ishte fetar, njohja dhe praktikimi i Toras. Në vend që të studionin Homerin dhe dramaturgët, nxënësit mësonin Shkrimet dhe traditat gojore të skribëve” (Everett Ferguson, Backgrounds of Early Christianity, botimi i dytë [Wm. B. Eerdmans Publishing Co., Grand Rapids, Michigan, 1993], fq. 102). Me pak fjalë, “studimi i Toras ishte përbërësi kryesor i të gjitha fazave të edukimit judaik në periudhën greko-romake” (D. F. Watson, “Education: Jewish and Greco-Roman”, Dictionary of New Testament Background, [InterVarsity Press, Downers Grove, IL, 2000], fq. 311). Dhe meqenëse për judenjtë, gjithë jeta e tyre private dhe publike bazohej mbi Ligjin e Moisiut (Torah), në cdo vend ku kishte një sinangogë kishte edhe një shkollë për të gjithë fëmijët (kryesisht meshkuj) nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Sistemi arsimor në Palestinë, ashtu si në shoqërinë greko-romake, ishte i ndarë në tri shkallë: shkolla fillore, shkolla e mesme dhe e lartë (Everett Ferguson, Backgrounds, fq. 100). Shkolla fillore e quajtur beth Sepher/Sopher “shtëpia e leximit/e skribit” ishte për fëmijët nga 6-10 vjec. Në të mësohej shkrim e këndim i hebraishtes, ndërsa si lëndë Shkrimet e DhV. Thelbi i leximit ishte mësimi përmendësh. Qëllimi: memorizimi i sa më shumë teksteve nga Shkrimet e Shenjta. Gjatë kësaj periudhë lexoheshin të gjithë librat e DhV hebraisht.
Shkolla e mesme, e quajtur beth midrash “shtëpia e instruktimit” ose beth talmud “shtëpia e të nxënit [të ligjit gojor]”, përfshinte moshat 10-13 vjec. Objekt i studimit të saj ishte ligji gojor, d.m.th. komentimi i Shkrimeve (midrash) apo trajtimi tematik i kërkesave ligjore (mishnah). Edhe kjo shkollë bëhej në një godinë pranë sinagogës dhe mbështetej financiarisht prej saj. Greqishtja nuk mësohej në asnjë shkollë judaike.
Shkolla e lartë nuk konsistonte, në fakt, në ndonjë formë të organizuar. Si rrjedhim, shumica nuk vazhdonte më tej në studime, por mësohej ndonjë zanat (edhe ky një detyrim ndër hebrenjtë). Megjithatë, fëmijët e kësaj moshe (megjithëse në shoqërinë judaike një 13 vjecar nuk konsiderohej më fëmijë në raport me Ligjin, por i rritur, i aftë të zbatojë Ligjin, krs. Luka 2:42, 46) me prirje të spikatur (krs. për Palin Gal. 1:14) dërgoheshin te ndonjë studiues ose rabin i njohur i kohës, për studime të mëtejshme (krs. për Palin Vep. 22:3). Në këtë nivel, studenti mësonte interpretimin e Shkrimeve dhe opinionet legale të rabinëve (talmud). Studimet e këtij niveli e përgatitnin personin për t’u bërë rabin, mësues ose kryetar sinagoge.
Kjo panoramë demonstron sipas Ferguson se “mes një numri të madh judenjsh duhej të kishte një shkallë të lartë arsimimi, më shumë se në cdo popull tjetër të botës antike.” (Backgrounds, fq. 103). Prandaj, ne mund të jemi të sigurt se apostujt ishin të arsimuar në një shkallë të mjaftueshme për standartet e kohës në lidhje me përmbajtjen e Shkrimeve të DhV dhe të traditës gojore judaike. Kjo konfirmohet në mënyrë indirekte edhe nga tekste si Luka 24:25-27; Gjoni 1:41, 45; 2:17, 22; 20:9 në të cilat implikohet një njohje paraprake e Shkrimeve.
Një vend i vecantë vlen t’i kushtohet predikimit të Pjetrit në ditën e Pentekostit te Vep. 2:14-36. Në predikimin e tij, Pjetri arrin të citojë përmendësh një pjesë të gjatë nga libri i Joelit (vgj. 16-21) dhe dy pjesë nga Psalmet e Davidit (vgj. 25-28, 34-35). Përsa i përket interpretimit të tyre, në lidhje me profecinë e Joelit Richard N. Longenecker (“Acts”, The Expositor’s Bible Commentary [The Zondervan Corporation, Grand Rapids, Michigan, 1981], vëll. 9, fq. 275) vëren: “Përdorimi që i bën Pjetri pjesës nga Joeli, është në linjë me atë që ne kemi mësuar ta quajmë, që nga zbulimi i rotujve të Detit të Vdekur, si ‘pesher’ (nga heb. P@v\r, ‘interpretim’). Ajo e vendos të gjithë theksin te përmbushja, pa synuar të ekzegjezojë detajet e profecisë biblike; ajo ‘interpreton’. Kështu, Pjetri e citon pjesën përmes formulës tipike hyrëse pesher: ‘kjo është ajo’”.
Ndërsa në lidhje me interpretimin e pjesëve nga Psalmet, Longenecker shkruan: “Këtu Pjetri citon nga Psalmi 16:8-11 (LXX) dhe Psalmi 110:1, në mbështetje të asaj që sapo ka thënë për Jezusin në v. 24. Citimet përmenden së bashku, në përputhje me rregullën e dytë të rregullave ekzegjetike midrashike (middot), të cilat i atribuohen në kohë Rabbi Hillelit (d.m.th. gëzerah shavah apo ‘analogjia verbale’, sipas të cilës, nëse e njëjta fjalë shfaqet në dy pjesë të ndryshme, i njëjti vlerësim vlen për të dyja). Të dy citimet kanë ‘në të djathtën time’, prandaj ato trajtohen me qëllim së bashku (krs. v. 33). Për më tepër, të dy citimet përdoren në formën pesher (...), sepse është mënyra e të kuptuarit si pesher që ngjall deklarimin hyrës ‘Davidi tha për të’, dhe kjo ia aplikon citimet tërësisht Jezusit” (“Acts”, fq. 279).
Drita që hedh Longenecker në lidhje me cfarë po trajtojmë këtu për arsimimin apo formimin e apostujve (dhe të Pjetrit, në vecanti) është e madhe. Pjetri dhe (mundësisht) apostujt e tjerë, jo vetëm që njihnin mirë Shkrimet e DhV, por edhe ishin të aftë të përdornin rregullat e mirënjohura të interpretimit në traditën judaike, për të transmetuar mesazhin e krishterë. Kjo do të thotë se apostujt, jo vetëm që nuk ishin të paditur, por ishin mjaftueshëm të formuar në njohjen dhe interpretimin e Shkrimeve për të drejtuar Kishën dhe për të shpallur Fjalën.
Tani mund të ndalemi në interpretimin e Vep. 4:13. (vazhdon)

No comments: