21 February 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës? (Hyrje)


Mendoj se një pyetje e tillë duhet të ketë menjëherë një përgjigje pozitive për sa kohë që askush nuk do t’i përgjigjej negativisht pyetjeve të ngjashme me këtë për fusha të tjera të jetës si p.sh. mjeksia, shkolla, drejtësia, ekonomia etj. Megjithatë, edhe pse në fusha të tilla ne pretendojmë të kemi njerëz me formimin e përshtatshëm, në kontekstin e kishës shqiptare, pretendimi për drejtues të formuar teologjikisht të konsiderohet jo shumë i domosdoshëm. Si është e mundur që për një shërbesë, e cila, për nga përgjegjësia që mbart, jo vetëm që nuk qëndron më poshtë se ajo e një mjeku, mësuesi apo gjykatësi, por është akoma më e madhe se ato (krs. Heb. 13:17b), kërkesa për një formim të përshtatshëm teologjik të mos konsiderohet domosdoshmëri? E megjithatë në përgjithësi mes ungjillorëve në Shqipëri (por jo vetëm) ekziston një lloj “alergjie” ndaj formulimeve të tilla të cilat, në një mënyrë apo një tjetër, e vënë theksin te “njohuria” kuptuar si tërësia e formimit intelektual të drejtuesit në cështje të besimit të krishterë. Të flasësh për “formim teologjik” apo “njohuri teologjike” në disa qarqe ungjillore do të thotë të flasësh për akademizëm, dhe akademizëm (nga ana e vet) do të thotë të mbushësh kokën me koncepte teologjike dhe cështje që s’kanë lidhje me jetën e përditshme. Si rrjedhim, “formimi teologjik” i drejtuesit ose konsiderohet i panevojshëm (mjafton të jesh një njeri i përkushtuar në leximin e përditshëm të Biblës dhe në lutje, si dhe të bësh një jetë të shenjtë), ose, në rastin më ekstrem, konsiderohet i dëmshëm (njohuria krekos!). Mendoj se një qëndrim i tillë, në rastin më të mirë është një keqkuptim, dhe në rastin më të keq është një gabim. Sidoqoftë në të dyja rastet, rezultati është i njëjtë: kisha nuk ka një bari për ta ushqyer me mësimin e duhur dhe mbetet gjithmonë foshnje në besim. Sidoqoftë, një përgjigje pozitive ndaj pyetjes që kemi shtruar ka nevojë të jetë e motivuar biblikisht. Te Ef. 4:11-15 Pali vë në dukje se ekzistenca e disa funksioneve në kishë, që kanë të bëjnë me zbulimin e Perëndisë dhe me drejtimin (këtu “barinj dhe mësues” të paraprirë të dy nga e njëjta nyje shquese i referohen të njëjtës kategori në kuptimin “barinj mësues”) ka për qëllim pozitiv (shih parafjalën pros ‘për’ me kallëzore, në fillim të v. 12, të përdorur në kuptimin “me qëllimin e ndërgjegjshëm për…” [BDAG]): formimin e besimtarëve. Rezultati final shprehet në v. 13 (shih lidhëzën mechri “derisa”, me të cilën v. 13 lidhet me v. 12). Por Pali nuk ndalet këtu në argumentimin e tij. Në v. 14 ai jep qëllimin final për të cilin synohet formimi i besimtarëve (shih lidhëza qëllimore hina ‘me qëllim që’). Ky qëllim shprehet në formë negative, d.m.th. në vend që të thotë “që të jemi njerëz të rritur” ai thotë “që të mos jemi më foshnja”. Në përputhje me mentalitetin e kohës, që shihte te figura e fëmijës cilësitë e mosnjohurisë, mospërvojës, gabimeve, edhe Pali përdor figurën e fëmijës në kuptimin negativ, për të treguar gjendjen e besimtarëve të paformuar në besim (krs. edhe 1 Kor. 13:11; 3:1-2). Këtu, ashtu si te 1 Kor. 3:1-2, figura e fëmijës tregon të krishterin në një gjendje të paformuar sipas standardit që është Krishti.
Nëse ky është qëllimi i ekzistencës në kishë të “barinjve mësues”, është e qartë se me këtë presupozohet që ata do të jenë të aftë ta realizojnë këtë qëllim. Kjo është edhe arsyeja përse Pali vendos në cilësitë e domosdoshme të kandidatit për tu bërë “mbikqyrës” edhe “i aftë të mësojë” (1 Tim. 3:2).

2 comments:

Anonymous said...

Mendoj qe eshte vertet e nevojshme dhe e domosdoshme qe drejtuesi i kishes te kete nje "formim teologjik", biles sa me thelluar edhe sipas dhuntise qe ka per ta kultivuar sa me shume ate, por sidomos sepse pergjegjsia qe ka kerkon qendrime e veprime te matura e te bazuara. Zoti i bekofte te gjithe ata qe e kane zgjedhur kete detyre me zemer te zellshme per Zotin, sepse vetem Ai mund t'i mbaje ne rrugen e veshtire!

Anonymous said...
This comment has been removed by a blog administrator.