17 July 2008

Kthim në dashurinë e parë

Pavarësisht nëse pranojmë apo jo interpretimin që letrat drejtuar 7 kishave, te Zb. 2-3, u referohen disa periudhave historike të kishës, padyshim letrat u referohen më së pari situatave konkrete specifike të këtyre kishave. Si të tilla, këto letra, ashtu si letrat e tjera në DhR që u drejtohen situatave specifike të kishave, përmbajnë parime të rëndësishme për jetën tonë sot.
Megjithatë, e vecanta është se këto letra, ndryshe nga letrat e Palit apo letrat e Gjonit, janë të diktuara drejtpërdrejt nga Krishti. Ai vetë, si Zoti i kishës, u dërgon letra në të cilat bën një vlerësim të gjendjes së tyre. Si do të ishte për ne po ta dinim se Krishti vetë na dërgon një letër ku vlerëson kishën tonë? Do të ishte një gëzim i madh të dëgjonim drejtpërdrejt prej gojës së tij një vlerësim pozitiv, por, nga ana tjetër, do të ishte një hidhërim i madh të dëgjonim një vlerësim negativ. Nëse ne do ta dëshironim një gjë të tillë, pse të mos jetë letra drejtuar kishës në Efes (Zb. 2:1-7), letra që ai do të donte të na dërgonte (ose ndoshta na dërgon) sot ne?

Efesi, jo vetëm që ishte kryeqendra romake e provincës së Azisë (si qyteti-por kryesor hyrës në Azi), por është ndër qytetet kryesore edhe përsa i përket viteve të para të krishtërimit. Për herë të parë Pali vizitoi Efesin në udhëtimin e II misionar (Vep. 18:19-28). Ndërsa në udhëtimin e III misionar, ndenji aty rreth tre vjet duke mësuar në sinagogë dhe në shkollën e Tiranit (Vep. 19:1, 8-10, 18-20; 20:31). Ai pati aty një veprimtari shumë të frytshme, megjithëse mes shumë vështirësive (1 Kor. 16:8-9). Kësaj kishe Pali i drejton edhe një letër, megjithëse ka gjasa që ajo që ne njohim si “letra dërguar Efesianëve” të jetë një letër qarkore që përfshinte edhe kisha të tjera përreth. Në udhëtimin e tij të fundit drejt Jeruzalemit, Pali kërkon dhe zhvillon një takim të vecantë me pleqtë e Efesit (Vep. 20:17), ndoshta sepse e vlerësonte një kishë kyc për kishat e tjera në rajon. Më vonë (ndoshta rreth 10 vjet më vonë), Pali dërgon Timoteun në Efes për të rregulluar probleme që kishin të bënin me ndalimin e disave që jepnin një mësim jo në përputhje me doktrinën e shëndoshë (1 Tim. 1:3-4), por edhe për të rregulluar cështje të pleqësisë, ndoshta për të zëvendësuar disa prej tyre (3:1-14).
Gjithashtu, qyteti i Efesit dhe, vecanërisht, kisha në Efes, ka qenë vendi ku shërbeu në vitet e fundit të jetës së tij dhe ku vdiq apostulli Gjon, sipas traditës që transmeton Eusebi në Historia Ecclesiastica:
“Ndërkohë apostujt e shenjtë dhe dishepujt e Shpëtimtarit tonë u shpërndanë nëpër gjithë botën… Gjoni [u zgjodh] për Azinë ku qëndroi deri në fund të jetës së tij në Efes.” (III.1).

Eusebi citon gjithashtu Ireneun i cili, në librin e tij Kundër Herezive, shkruan:
“Kisha e Efesit u themelua nga Pali, dhe Gjoni ndenji atje deri në kohën e Trajanit. Kështu, ajo është një dëshmitare e vërtetë e asaj që mësuan apostujt” (III.23).

Ky fakt e bën më interesant dhe kuptimplotë për Gjonin, vlerësimin e Krishtit për kishën e Efesit.

Krishti i prezantohet kishës së Efesit si “ai që mban në të djathtën e tij shtatë yjet dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve” (v. 1). Nga shpjegimi i 7 yjeve dhe 7 shandanëve (1:20), kuptimi i këtij preznatimi është që Krishti ka nën kontroll kishën e Tij dhe që Ai shqyrton, vlerëson dhe heton kishën.
vgj. 2-3, 6 Krishti deklaron se njeh cdo gjë që ndodh në kishë. Deklarimi “unë njoh/di…” përdoret nga Krishti në të 7 letrat nga të cilat në 5 ka kuptim pozitiv (2:9, 13, 19; 3:8) dhe në 2 ka kuptim negativ (3:1, 15). Në kuptimin pozitiv (si në letrën drejtuar efesianëve) ky deklarim synon të inkurajojë besimtarët që të jenë të qëndrueshëm në jetën e tyre të krishterë, sepse s’ka asnjë mundim që heqin për mbarëvajtjen e kishës, asnjë vuajtje për hir të Krishtit, asnjë lodhje në shërbesën e Zotit që Ai nuk e di dhe nuk e mban në konsideratë. Krishti e njeh gjendjen tënde. Ai nuk të ka braktisur.

Vlerësimi pozitiv i Krishtit për kishën e Efesit ka të bëjë me punën dhe mundin në shërbesën e Ungjillit (v. 2a), me qëndrimin në doktrinën e shëndoshë, duke mos toleruar persona, ide e mësime, që nuk janë në përputhje me mësimin e krishterë (vgj. 2b, 6), me durimin përballë vështirësive të ndryshme (v. 3). Në këtë kohë kanë kaluar rreth 40 vjet që nga themelimi i kishës, megjithatë kisha e Efesit vazhdon të jetë një kishë e qëndrueshme në mësimin dhe praktikën apostullore. Rreth 15 apo 20 vjet më vonë, Injaci i Antiokisë, një ndër etërit e kishës, do t’i shkruante kishës së Efesit duke e vlerësuar përsëri për të njëjtën qëndrueshmëri në mësimin e shëndoshë.
“… ju të gjithë jetoni sipas të vërtetës dhe asnjë herezi nuk gjendet mes jush. Madje ju nuk dëgjoni askënd, përvec nëse flet në lidhje me Jezus Krishtin në të vërtetën… Kam dëgjuar se disa të ardhur me doktrinë të keqe kanë qëndruar te ju, por ju nuk i lejuat ta mbillnin atë ndër ju dhe mbyllët veshët me qëllim që ju të mos merrnit atë që ata mbollën” (Injaci, Letër drejtuar Efesianëve 6:2; 9:1).
Padyshim kjo është dëshmia më domethënëse e punës së mirë jo vetëm të Palit e Gjonit, por edhe të Prishilës e Akuilës, Timoteut, Oneziforit, Tikikut, e bashkë me ta të pleqve të Efesit dhe besimtarëve të brezit të parë. Çfarë do të ndodhë me kishën tonë pas 30 apo 40 vjetëve? Çfarë do të jenë fëmijët tanë pas nesh? A po angazhohemi me të gjitha forcat si kishë dhe si familje për të përgatitur një brez të krishterë të shëndoshë?
Po ne vetë, a vazhdojmë të jemi të qëndrueshëm në shërbimin ndaj Zotit? Apo përpiqemi të qëndrojmë në mësimin e shëndoshë pa iu nënshtruar legalizmit, por edhe pa i hapur dyert liberalizmit, sidomos në cështje të etikës dhe moralit? A po angazhohemi si drejtues në formimin e besimtarëve, apo puna jonë mjaftohet me veprimtari rastësore pa asnjë vizion për gjendjen e kishës pas disa viteve?
(vazhdon)

1 comment:

Jorge said...
This comment has been removed by a blog administrator.