21 February 2008

A është i domosdoshëm një “formim teologjik” i drejtuesit të kishës? (Hyrje)


Mendoj se një pyetje e tillë duhet të ketë menjëherë një përgjigje pozitive për sa kohë që askush nuk do t’i përgjigjej negativisht pyetjeve të ngjashme me këtë për fusha të tjera të jetës si p.sh. mjeksia, shkolla, drejtësia, ekonomia etj. Megjithatë, edhe pse në fusha të tilla ne pretendojmë të kemi njerëz me formimin e përshtatshëm, në kontekstin e kishës shqiptare, pretendimi për drejtues të formuar teologjikisht të konsiderohet jo shumë i domosdoshëm. Si është e mundur që për një shërbesë, e cila, për nga përgjegjësia që mbart, jo vetëm që nuk qëndron më poshtë se ajo e një mjeku, mësuesi apo gjykatësi, por është akoma më e madhe se ato (krs. Heb. 13:17b), kërkesa për një formim të përshtatshëm teologjik të mos konsiderohet domosdoshmëri? E megjithatë në përgjithësi mes ungjillorëve në Shqipëri (por jo vetëm) ekziston një lloj “alergjie” ndaj formulimeve të tilla të cilat, në një mënyrë apo një tjetër, e vënë theksin te “njohuria” kuptuar si tërësia e formimit intelektual të drejtuesit në cështje të besimit të krishterë. Të flasësh për “formim teologjik” apo “njohuri teologjike” në disa qarqe ungjillore do të thotë të flasësh për akademizëm, dhe akademizëm (nga ana e vet) do të thotë të mbushësh kokën me koncepte teologjike dhe cështje që s’kanë lidhje me jetën e përditshme. Si rrjedhim, “formimi teologjik” i drejtuesit ose konsiderohet i panevojshëm (mjafton të jesh një njeri i përkushtuar në leximin e përditshëm të Biblës dhe në lutje, si dhe të bësh një jetë të shenjtë), ose, në rastin më ekstrem, konsiderohet i dëmshëm (njohuria krekos!). Mendoj se një qëndrim i tillë, në rastin më të mirë është një keqkuptim, dhe në rastin më të keq është një gabim. Sidoqoftë në të dyja rastet, rezultati është i njëjtë: kisha nuk ka një bari për ta ushqyer me mësimin e duhur dhe mbetet gjithmonë foshnje në besim. Sidoqoftë, një përgjigje pozitive ndaj pyetjes që kemi shtruar ka nevojë të jetë e motivuar biblikisht. Te Ef. 4:11-15 Pali vë në dukje se ekzistenca e disa funksioneve në kishë, që kanë të bëjnë me zbulimin e Perëndisë dhe me drejtimin (këtu “barinj dhe mësues” të paraprirë të dy nga e njëjta nyje shquese i referohen të njëjtës kategori në kuptimin “barinj mësues”) ka për qëllim pozitiv (shih parafjalën pros ‘për’ me kallëzore, në fillim të v. 12, të përdorur në kuptimin “me qëllimin e ndërgjegjshëm për…” [BDAG]): formimin e besimtarëve. Rezultati final shprehet në v. 13 (shih lidhëzën mechri “derisa”, me të cilën v. 13 lidhet me v. 12). Por Pali nuk ndalet këtu në argumentimin e tij. Në v. 14 ai jep qëllimin final për të cilin synohet formimi i besimtarëve (shih lidhëza qëllimore hina ‘me qëllim që’). Ky qëllim shprehet në formë negative, d.m.th. në vend që të thotë “që të jemi njerëz të rritur” ai thotë “që të mos jemi më foshnja”. Në përputhje me mentalitetin e kohës, që shihte te figura e fëmijës cilësitë e mosnjohurisë, mospërvojës, gabimeve, edhe Pali përdor figurën e fëmijës në kuptimin negativ, për të treguar gjendjen e besimtarëve të paformuar në besim (krs. edhe 1 Kor. 13:11; 3:1-2). Këtu, ashtu si te 1 Kor. 3:1-2, figura e fëmijës tregon të krishterin në një gjendje të paformuar sipas standardit që është Krishti.
Nëse ky është qëllimi i ekzistencës në kishë të “barinjve mësues”, është e qartë se me këtë presupozohet që ata do të jenë të aftë ta realizojnë këtë qëllim. Kjo është edhe arsyeja përse Pali vendos në cilësitë e domosdoshme të kandidatit për tu bërë “mbikqyrës” edhe “i aftë të mësojë” (1 Tim. 3:2).

17 February 2008

Introduction

Didaskalia është transliterim i termit gr. didaskaliva që do të thotë “mësim”, “instruksion” dhe tregon qoftë aktin e të mësuarit e qoftë atë që mësohet (BDAG). Apostulli Pal, duke i shkruar bashkëpunëtorit të tij Timoteut, i bën thirrje “Ruaje veten tënde dhe doktrinën (didaskalia), qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë” (1 Tim. 4:16). Kjo thirrje tregon përgjegjësinë e madhe të Timoteut, por dhe të cdo drejtuesi të krishterë, për “të patur kujdes… doktrinën” (kështu më saktë ne gr.), sepse fati i atyre që dëgjojnë është lënë në përgjegjësinë e drejtuesit. Të njëjtin shqetësim shpreh Pali te letra Titit 1:9 kur kërkon që drejtuesi i kishës duhet të jetë një person “që mban fort fjalën besnike sic i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën (didaskalia) e shëndoshë të nxisë dhe bindë ata që flasin kundër”.
Rëndësia e madhe e kësaj thirrjeje bëhet më urgjente në kontekstin e paralajmërimit se “do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën (didaskalia) e shëndoshë, por sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët” (2 Tim. 4:3).
Në këto raste, por edhe në raste të tjera në Letrat Baritore didaskaliva (didaskalia) i referohet tërësisë së mësimit apostullor, sic shprehet Howard Marshall: “Përdorimi dominues i njëjësit didaskaliva në Letrat Baritore (14 herë) pasqyron theksin që vendoset mbi konceptin e tërësisë së fiksuar të doktrinës së krishterë (të pranishme tashmë në vende të tjera në DhR)” (I. Howard Marshall, A Critical and Exegetical Commentary on the Pastoral Epistles, ICC [London, New York: T&T Clark International, 2004], fq. 381).
Themeli i doktrinës dhe mësimit të krishterë, sipas Palit është Shkrimi i Shenjtë (Bibla). Duke i shkruar përsëri Timoteut, ai shprehet: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i përshtatshëm për mësim (didaskalia), për bindje, për ndreqje, për edukim në drejtësi” (2 Tim. 3:16). Po ashtu, te Rom. 15:4 shkruan: “sepse, sa u shkruan më përpara (Besëlidhja e Vjetër), u shkruan për mësimin (didaskalia) tonë, që me anë të durimit dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë”. Këto referime për shkrimet e DhV nuk janë për Palin të ndryshme nga mësimi që ai vetë kishte marrë, që ua kishte transmetuar të tjerëve dhe që na është transmetuar neve përmes shkrimeve të DhR (krs. Rom. 6:17; 16:17; 2 Thes. 2:15; 3:6).
Si drejtues i një kishe të krishterë ungjillore, synimi im është të njoh sa më mirë përmbajtjen e Biblës, duke u përpjekur ta interpretoj në një mënyrë sa më korrekte në përputhje me parimet e metodës historiko-gramatikore me qëllim që ta predikoj sa më besnikërisht, për ndërtimin frymëror të besimtarëve. Kështu, në këtë blog do të shpreh opinionet e mia në cështje të ekzegjezës dhe interpretimit të Biblës, në cështje të përkthimit në shqip dhe në cështje të teologjisë së krishterë, duke patur parasysh thirrjen e Palit drejtuar Titit “Por ti fol ato që janë në përputhje me doktrinën e shëndoshë” (Titi 2:1).
Nëse ti je një i krishterë apo një drejtues kishe, je i mirëpritur këtu.
Soli Deo Gloria